Lef Nosi, intelektuali, atdhetari, politikani dhe studiuesi, ka qenë edhe ruajtësi i dokumentit të Pavarësisë së Shqipërisë, rreth 100 vjet më parë. “Për të bërë të pamundur falsifikimin dhe manipulimin e tij, me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë, e fotografoi dhe e botoi duke ju dhuruar nga një kopje familjeve të të gjithë nënshkruesve dhe duke e shpërndarë botërisht. Ky botim që ruhet në shumë kopje në ditët tona, është i vetmi që kemi për Aktin e Pavarësisë. Kështu, sundimtarë të ndryshëm të Shqipërisë që u përpoqën të manipulonin duke shtuar si nënshkrues të afërm të tyre, dështuan”, thotë djali i mbesës së Lef Nosit, Skënderi. Nga thëniet e nipit të Lef Nosit, të ndjerit dhe të mirënjohurit doktor Stiliano Nosi, del se ky i fundit në vitin 1944, kur Lef Nosi ishte në Tiranë si regjent, me kërkesën e tij i dorëzon shoqëruesit të Lefit dokumentin e Pavarësisë që ndodhej në shtëpinë e tij në Elbasan për t’ia dërguar atij në Tiranë. Nga kujtimet e mbesës së Lefit, Adelinës dhe nipit të Lefit, Vasilit, gjërat më të vyera që kishte, i kishte depozituar në Bankën e Shqipërisë dhe çelësin ia kishte dhënë mikut të tij besnik dhe të ndershëm, Aleksandër Xhuvanit. Lef Nosi është ministri i Parë i Postë Telegrafëve në qeverinë e Ismail Qemalit, krijues i Filetelisë së shtetit shqiptar. Nën drejtimin e tij, Qeveria e Vlorës nxori gjashtë emisione pullash, ku padyshim më interesanti është Emisioni i Tretë. Ky emision përbëhet nga pullat turke të kohës të vulosura me shqiponjën dykrenore dhe shkrimin Shqipënia. Pulla me vlerë 50 piastër, nga e cila janë emetuar vetëm 16 copë, është shitur në ankandin Chrystone të pullave të rralla 26 000 euro në vitin 2008. Këto lloj pullash kanë qenë objekt i ndërhyrjes së mjaft falsifikatorëve të sofistikuar, prandaj gjithmonë kur hidhen në treg shoqërohen me çertifikata të ekspertëve ndërkombëtarë. Mësohet se Lef Nosi i ka dhuruar British Muzeumit 65 ekzemplarë të këtyre pullave me të pesë ngjyrat e mbishkrimeve.
Qëllimi i Lef Nosit ka qenë që të ruhen si etalon në këtë institucion prestigjioz për të mos lejuar falsifikimin e tyre. Po ashtu, në Muzeun e Universitetit të Aberdinit në Skoci janë ekspozuar pulla dhe raporte arkeologjike shqiptare që Lef Nosi i ka dhuruar këtij universiteti të shquar nëpërmjet mikes së tij, Margaret Hazllëk. Një ndër studiuesit e jetës së Lef Nosit, prof. Kujtim Bevapi, shpjegon aktivitetin e tij për shkrimin shqip dhe pjesëmarrjen në Kongresin e Manastirit si delegat pa të drejtë vote, pasi u përpoq deri në fund të mbahej në Elbasan.

Cili ishte Lef Nosi

Veprimtarinë atdhetare, politike dhe shoqërore e nisi në fundin e shekullit të XIX. Në vitin 1909 themelon dhe drejton shoqërinë “Afërdita” dhe në 1910 boton të parën gazetë të qytetit të tij të Elbasanit, “Tomorri”. Dha një ndihmesë të madhe në punimet e Kongresit të Elbasanit dhe hapjen e shkollës Normale. Shpejt u bë personalitet i shquar në gazeta, ku botoi shkrime të ndryshme, artikuj të përkthyer nga shtypi europian ku pasqyroheshin problemet e kohës dhe interesat kombëtare shqiptare. Dy artikuj të përkthyer nga shtypi europian bëhen shkak që turqit e rinj ta arrestonin dhe t’i jepnin dënimin kapital. Ndërhyrjet e patriotëve dhe opinionit ndërkombëtar bënë që dënimi të kthehej me internim në Bursë të Turqisë. Më 28 nëntor 1912 firmos Aktin e Pavarësisë dhe emërohet ministër i Postë Telegrafëve. Bën pjesë në delegacionet e Qeverisë së Vlorës në Konferencën e Paqes për kufijtë e Shqipërisë, si dhe në delegacionet e pritjes së Princ Vidit. Më 1919 merr pjesë në Kongresin e Durrësit. I ndodhur jashtë vendit përshëndet me telegram Kongresin e Lushnjës. Si mik i Fan Nolit tërhiqet nga jeta politike dhe i kushtohet studimeve gjuhësore, historike, etnografike, albanologjike, si dhe fushave të filatelisë, numizmatikës e mbledhjes së shprehjeve e fjalëve të urta, dokumenteve e librave të rrallë me vlerë për historinë e popullit tonë. Me pushtimin fashist të 1939 internohet në Itali ku vazhdoi aktivitetin e tij. Në 14 shtator 1943 merr pjesë në Asamblenë Kushtetuese që e shkëputi Shqipërinë nga Italia dhe e shpalli shtet të pavarur. Kjo asamble e zgjedh si Anëtar të Regjencës.
Në ditët e para të çlirimit, kërkohet nga regjimi komunist dhe kalon në jetë ilegale në Veri të vendit e më vonë në Elbasan dhe Tiranë. Arrestohet më 8 gusht 1945 dhe dënohet me vdekje në gjyqin që zhvillohet nga 1 deri në 12 shkurt 1946. Pushkatohet më 20 shkurt 1946 së bashku me Patër Anton Harapin dhe Maliq Bushatin. “Të afërm dhe miq, thotë Skënderi, kanë pyetur veten se çfarë e shtyu Lef Nosin të rimerrej me politikë në moshën 70-vjeçare dhe aq më tepër kur fati i Luftës së Dytë Botërore ishte vendosur. Përgjigjen e jep biseda që kishte bërë me Lefin miku i tij Afëz, Musa Basha. Lefi i kishte dhënë këtë përgjigje kësaj pyetjeje: “Çunat janë të rinj, serbi jua ka me hile”. Siç duket, një nga arsyet më madhore është fati i Kosovës. Ndërsa miku i tij në vuajtje dhe në pushkatim, Patër Anton Harapi, ishte shprehur: “Ne po shkojmë në vetëflijim”.
Lef Nosit ortodoks dhe shokëve të tij, një katolik dhe një mysliman, nuk u dihet varri. Lef Nosi është dekoruar me Urdhrin e Skënderbeut nga Presidenti i Republikës, është shpallur Qytetar Nderi i Elbasanit, sot një rrugë në qytetin e Elbasanit mban emrin e tij, si dhe një shkollë e mesme në Prizren të Kosovës mban emrin e Lef Nosit.

Fondi i Lef Nosit në bibliotekën “Qemal Baholli”

Bërthama e fondit të albanologjisë dhe balkanologjisë në Bibliotekën Publike “Qemal Baholli” në Elbasan mban vulën personale të Lef Nosit. Myrvet Dhono, specialiste e fushës së albanologjisë, thotë për ATSH-në se “Lef Nosi ka dhënë një kontribut shumë të madh në bibliotekën ‘Qemal Baholli’ të qytetit, që në themelimin e saj, duke qenë edhe në këshillin shkencor të bibliotekës së asaj kohe. Si njohës mjaft i mirë i disa gjuhëve të huaja, si dhe studiues i vlerave të vendit të tij, Lef Nosi blinte zakonisht libra që shkruanin për Shqipërinë, për historinë, gjeografinë, dy çështje mjaft të rëndësishme”. Një ndër to është libri në gjuhën frënge me titull “Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së vjetër të veriut, gegërisë”. Sipas Dhonos, “ky libër i dhuruar nga Lef Nosi ka patur autor Hyacinthe Hecquard, ish-konsull në Shkodër, kavalier i legjionit të nderit etj. Në libër janë 516 faqe të shoqëruara me harta, ku ekzistojnë katër vilajete. Kryesisht bëhet përshkrimi i vilajetit të Shkodrës, Tivarit. Në këtë libër autori flet edhe për Elbasanin. Libri i vitit 1823 “Gli Albanesi in Rumenia” i Dora D’Istrias tregon shumë mirë për vlerat e Lef Nosit, i cili zgjidhte librat për të cilat ishte i interesuar. Gjithashtu, në fondin e bibliotekës gjendet edhe libri me titull “Banka Kombëtare e Shqipnis”, që dëshmon se Lef Nosi ishte një studiues i mjaft fushave dhe se ka pasur njohuri shumë të mëdha. Një vlerë të madhe të këtij personaliteti paraqet edhe sistemi i dokumenteve historike në një vëllim të madh që trajtojnë probleme të historisë sonë kombëtare i vitit 1924, nga Lef Nosi, një përmbledhje me dokumente të harkut kohor 1912-1918. Këto dokumente përmbajnë telegrame, letërkëmbime, fonograme, shkresa, kujtime, si edhe pasqyrohen shpallja e Pavarësisë Kombëtare, qeveria e Ismail Qemalit, luftërat ballkanike, periudha e Princ Vidit etj.